Buxheti 2027 ndan fondet për 61 bashki, pa reflektuar reformën territoriale me 46
Projektbuxheti 2027 shpërndan 48.2 miliardë lekë për 61 bashki, megjithëse reforma territoriale i redukton në 46.

Qeveria ka hartuar projektbuxhetin e pushtetit vendor për vitin 2027 duke u mbështetur në ndarjen e vjetër administrativo-territoriale me 61 bashki, pavarësisht se Kuvendi miratoi më 9 tetor 2026 reformën e re territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive në 46.
Tabela e transfertave buxhetore për vitin e ardhshëm vijon t'i trajtojë si njësi të pavarura financimi edhe 15 bashkitë që, sipas reformës, do të bashkohen me bashki të tjera. Projektbuxheti nuk pasqyron ende mënyrën se si do të rishpërndahen fondet pas riorganizimit territorial, i cili pritet të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
48.2 miliardë lekë transferta për 61 bashkitë ekzistuese
Sipas tabelës së transfertave të pakushtëzuara për bashkitë, që shoqëron projektbuxhetin 2027, qeveria parashikon të shpërndajë gjithsej 48.2 miliardë lekë për 61 bashkitë ekzistuese, përmes transfertës së përgjithshme dhe transfertave sektoriale.
Nga kjo shumë, 26.83 miliardë lekë përbëjnë transfertën e pakushtëzuar të përgjithshme, ndërsa pjesa tjetër është e destinuar për financimin e funksioneve të veçanta të pushtetit vendor.
Këto përfshijnë arsimin parashkollor dhe parauniversitar, mbrojtjen nga zjarri, mirëmbajtjen e rrugëve rurale, ujitjen dhe kullimin, administrimin e pyjeve, rritjen e pagave dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.
Megjithëse reforma territoriale parashikon ndryshimin e strukturës së qeverisjes vendore, shpërndarja e fondeve për vitin 2027 është përgatitur sipas organizimit aktual administrativ.
Fushë-Arrëzi, Klosi dhe Rrogozhina vijojnë të kenë financime të veçanta
Një nga rastet që evidenton mospërputhjen ndërmjet projektbuxhetit dhe hartës së re territoriale është Bashkia Fushë-Arrëz, e cila sipas reformës do t'i bashkohet Bashkisë Pukë.
Në projektbuxhetin 2027, Fushë-Arrëzi figuron me një transfertë prej 299.2 milionë lekësh, ndërsa Puka me 377.5 milionë lekë. Të dyja bashkitë vazhdojnë të trajtohen si njësi të veçanta financimi, megjithëse pas zbatimit të reformës do të përfshihen në një strukturë të përbashkët administrative.
E njëjta situatë paraqitet edhe për Bashkinë Klos, e cila do t'i bashkohet Bashkisë Mat. Projektbuxheti parashikon 362.2 milionë lekë për Klosin dhe 618.2 milionë lekë për Matin, duke ruajtur financimin e ndarë për secilën njësi.
Në qarkun e Tiranës, Bashkia Rrogozhinë, që sipas reformës do të bashkohet me Kavajën, ka një transfertë të veçantë prej 396.2 milionë lekësh, ndërsa Bashkia Kavajë figuron me 738.1 milionë lekë.
Patosi, Divjaka, Cërriku dhe Belshi mbeten në tabelat e financimit
Në qarkun e Fierit, bashkitë Patos dhe Divjakë vijojnë të kenë transferta të veçanta, përkatësisht 416.6 milionë dhe 575 milionë lekë, megjithëse reforma territoriale parashikon bashkimin e Patosit me Fierin dhe të Divjakës me Lushnjën.
Edhe në qarkun e Elbasanit, bashkitë Cërrik dhe Belsh figurojnë me financime të ndara, ndonëse sipas hartës së re territoriale do të përfshihen në Bashkinë Elbasan.
E njëjta mënyrë financimi është ndjekur edhe për bashki të tjera që preken nga riorganizimi territorial, përfshirë Maliqin, Përrenjasin, Këlcyrën, Memaliajn dhe Libohovën.
Reforma e miratuar nga Kuvendi më 9 tetor 2026, me 85 vota pro, parashikon shkrirjen e 15 bashkive si njësi të pavarura dhe bashkimin e tyre me bashki të tjera. Sipas objektivave të deklaruara, riorganizimi synon përqendrimin e burimeve financiare dhe administrative, uljen e kostove të funksionimit dhe përmirësimin e shërbimeve vendore.
Reforma territoriale kërkon riorganizimin e fondeve dhe kompetencave
Bashkimi i bashkive ndryshon strukturën administrative që do të menaxhojë fondet publike, edhe në rastet kur popullsia, territori dhe nevojat për shërbime mbeten të pandryshuara.
Financimi për administratën vendore, arsimin, mbrojtjen nga zjarri, mirëmbajtjen e rrugëve rurale dhe administrimin e pyjeve mund të kërkojë riorganizim ndërmjet njësive që do të bashkohen.
Për këtë arsye, miratimi i reformës territoriale krijon nevojën për të sqaruar jo vetëm destinacionin e transfertave buxhetore, por edhe mënyrën e transferimit të kompetencave, personelit, detyrimeve ekzistuese dhe administrimit të fondeve pas bashkimit të njësive vendore.
Një tjetër çështje që mbetet për t'u përcaktuar është mënyra se si financimet e planifikuara për bashkitë që do të shkrihen do të integrohen në buxhetet e bashkive pritëse, pas hyrjes në zbatim të hartës së re territoriale.
Zbatimi i reformës parashikohet të lidhet me zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Deri në përfundimin e riorganizimit institucional, bashkitë ekzistuese vijojnë të ushtrojnë funksionet e tyre dhe të kenë nevojë për financim, çka shpjegon ruajtjen e tyre si njësi të veçanta në planifikimin aktual buxhetor, por nuk sqaron ende mënyrën e rishpërndarjes së fondeve pas reformës.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)